Pak ditë më parë babai i Ervis Martinaj ka lëshuar akuza në drejtim të institucioneve të drejtësisë sa i takon fatit të djalit të tij.
Ai tha për mediat se djali i tij ishte ekzekutuar në Durrës. Por sot ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i pyetur nga gazetarët në lidhje me misterin e zhdukjes së tij nuk dha asnjë informacion.
Të lidhura
None found
Ai deklaroi se si titullar politik nuk mund të përfshihet në këtë çështje, por theksoi se informacionet i disponojnë oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori i çështjes.
“Kjo ngjarje që ju referoni është një ngjarje konkrete që do të thotë se kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacinale
Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, tha ministri i Brendshëm.
Deklarata e babait
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit. Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, tha Mustafa Martinaj.
Kujtojmë se Ervis Martinaj, rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit të vitit 2022 dhe që prej asaj dite nuk ka më asnjë të dhënë për të.
