Pusho mos fol, fike telefonin se e ke zakon që përgjon, ti tjetri merresh me llafazanllëqe/ Përplasjet e Ramës me Spiropalin dhe dy ish-ministra, reagon Peleshi

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar në lidhje me debatet e tensionuara një ditë më parë në mbledhjen e Grupit të PS, mes kryeministrit Edi Rama dhe tre ish ministrave, konkretisht Elisa Spiropalit, Damian Gjiknurit dhe Ervin Hoxhës.

I pyetur nëse ka përçarje brenda socialistëve, Peleshi tha se këto janë thashetheme dhe nuk kanë të bëjnë me thelbin politik të zhvillimeve.

Sipas Peleshit, ka pasur diskutime të gjatë, që ai thotë se kanë qenë të shëndetshme dhe nuk mund të quhen përçarje.

“Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme, por mendoj se ju i referoheni disa thashetheme që nuk kanë lidhje me substancën politike”, tha Peleshi nga Korça.

Pyetje: A ka përçarje në PS?

Peleshi: Nëse i referoheni thashethemeve unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk do çfarë do të thotë përçarje. Ka diskutime, orë të gjatë diskutimi kemi pasur dje dhe kjo besoj se është e shëndetshme. Diskutimi nuk mund të quhet përçarje. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme, por mendoj se ju i referoheni disa thashetheme që nuk kanë lidhje me substancën politike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike.

Pyetje: Nuk është e vërtetë kur Rama i tha Spiropalit se duhet të pushojë, Gjiknurit të bëjë kujdes me telefonin mos përgjojë dhe Ervin Hoxhës që të mos ulet në kafene komisariatesh?

Peleshi: Këto nuk kanë lidhje me pyetjen tuaj sic e kuptova unë, Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik.

DEBATI ME SPIROPALIN 

Burime për “Panorama” bënë me dije se në Pallatin e Brigadave ku u zhvillua takimi pati disa replika me tone të ashpra mes deputetes Spiropali dhe kryeministrit Rama.

Gjatë fjalës së ministres për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila ka folur për strategjinë e komunikimit, deputetja Elisa Spiropali mësohet se është parë të qeshte.

Ky gjest i Spiropalit është parë nga ministrja Ismaili, e cila i është drejtuar me fjalët, “zonja Spiropali s’ke pse qesh”.

Ish-ministrja e Jashtme i është përgjigjur me fjalën “urdhëro?”. Spiropali mësohet se i ka thënë ministres Ismaili t’i kërkojë falje.

Spiropali i ka kërkuar që të ketë më shumë respekt për deputetët dhe në ato momente mësohet të ketë ndërhyrë Rama duke i thënë që të pushojë dhe të mos flasë.

“Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu, me respekt se jemi dhe deputetë!”, mësohet të ketë thënë Spiropali.

Në atë moment ka reaguar vetë kryeministri Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit me tone të ashpra.

“Ti mos e hap gojën fare, fare. Ti një herë mos fol fare, të paktën në prezencën time!”, ka deklaruar ai, sipas burimeve për “Panorama”.

Në mbledhjen e sotme, Spiropali dhe deputeti Erion Braçe u panë të ulur në rreshtin e fundit dhe pas kurrizit të kryeministrit Rama.

PËRPLASJA ME GJIKNURIN DHE HOXHËN

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit të PS, Kryeministri Edi Rama ka pasur një përplasje verbale me dy figura të njohura të mazhorancës.

Fillimisht, Rama iu drejtua Damian Gjiknurit, duke e akuzuar për regjistrim dhe nxjerrje të bisedave private.

“Fik telefonin se e ke zakon që regjistron dhe i nxjerr gjërat që regjistron”, mësohet t’i ketë thënë Rama.

Në vijim, kryeministri ka ironizuar edhe ish-ministrin Ervin Hoxha, duke e kritikuar për diskutime jashtë ambienteve zyrtare.

“Po ti do vazhdosh akoma të bësh llafazanllëqe nëpër tavolina komisariatesh?”-  i është drejtuar Rama.

Debati, që ka ndodhur në një takim të mbyllur për median, tregon për klimën e tensionuar brenda radhëve të mazhorancës.

Më herët replikat kane ndodhur edhe mes Kryeministrit Rama dhe Elisa Spiropalit, kësaj të fundit Rama iu drejtua me ton të ashpër: Ti mos fol fare, fare kur te jem unë”.


Shtuar 29.03.2026 14:02