Dronë të paidentifikuar janë vërejtur mbi një bazë ushtarake në Washington, ku qëndrojnë sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, raporton The Washington Post, duke cituar burime të informuara mbi çështjen.
Sipas raportimit, autoritetet amerikane nuk kanë arritur ende të përcaktojnë origjinën e dronëve.
Incidenti ka ndodhur mbi bazën ushtarake Fort McNair, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në një moment tensionesh të larta.
Burimet bëjnë të ditur se prania e dronëve ka shtyrë zyrtarët të shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së Rubio-s dhe Hegseth-it për arsye sigurie.
Megjithatë, deri tani nuk është marrë një vendim i tillë dhe të dy zyrtarët vijojnë të qëndrojnë në të njëjtin vend, sipas një zyrtari të lartë qeveritar.
Në sfondin e zhvillimeve, ushtria amerikane ka rritur nivelin e monitorimit të kërcënimeve të mundshme, për shkak të gjendjes së lartë të alarmit të lidhur me konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Nga ana tjetër, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, refuzoi të komentojë në detaje mbi incidentin, duke deklaruar se Departamenti i Mbrojtjes nuk mund të diskutojë lëvizjet e sekretarit për arsye sigurie.
