Kërcënimi i presidentit Trump: SHBA do të ‘hedhë në erë masivisht’ fushën e madhe të gazit iranian nëse…

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar një reagim të gjatë në platformën sociale ‘Truth’, lidhur me një sulm izraelit ndaj fushës së gazit ‘South Pars’ në Iran, i ndodhur të mërkurën në mbrëmje.

Në kundërpërgjigje, Irani ka goditur zonën industriale Ras Laffan në Katar, e cila përfshin një nga impiantet më të mëdha në botë për përpunimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Në deklaratën e tij, Trump thekson se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin asnjë dijeni” për sulmin izraelit dhe se Katari nuk kishte asnjë përfshirje apo informacion paraprak mbi të.

Ai shton se Izraeli reagoi “në mënyrë të ashpër”, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas tij, Irani nuk ishte në dijeni të kësaj dhe për këtë arsye sulmi ndaj Ras Laffan ishte “i pajustifikuar dhe i padrejtë”.

Trump paralajmëroi gjithashtu se Izraeli nuk do të ndërmarrë një tjetër sulm ndaj fushës ‘South Pars’, përveç rasteve kur Irani vendos të godasë një tjetër vend që ai e cilëson si të pafajshëm, në këtë rast Katarin.

Trump kërcënoi se nëse Irani sulmon sërish Katarin, SHBA do të reagojë duke goditur në mënyrë masive të gjithë fushën e gazit South Pars, “me një forcë dhe fuqi që Irani nuk e ka parë kurrë më parë”.

Megjithatë, Trump theksoi se nuk dëshiron të autorizojë një nivel të tillë dhune për shkak të pasojave afatgjata për Iranin, por paralajmëroi se nuk do të hezitojë të veprojë nëse infrastruktura e LNG-së në Katar sulmohet sërish.


Shtuar 19.03.2026 07:50