Përfaqësuesi i KE-së: Kosova të përshpejtojë reformat për anëtarësim në BE

Jiri Plecity përfaqësues i KE-së gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian, ka folur edhe për çështjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësinë në BE, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e reformave.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni Evropian mbetet i gatshëm të avancojë procesin e aplikimit të Kosovës, por përgjegjësia kryesore bie mbi vetë vendin.

“Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe, natyrisht, do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane”, u shpreh ai.

Megjithatë, Plecity theksoi se orientimi pro-evropian duhet të shoqërohet me hapa konkretë.

“Është e qartë se Kosova mban një përgjegjësi të madhe mbi supet e veta dhe, para së gjithash, orientimi i saj i fortë pro-evropian dhe mbështetja publike duhet të materializohen në reforma konkrete”, deklaroi ai.

Plecity paralajmëroi gjithashtu për urgjencën e përshpejtimit të procesit reformues.

“Po bëhet gjithnjë e më urgjente që Kosova të kompensojë kohën e humbur dhe të intensifikojë reformat”, tha Plecity.

Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka edhe zbatimi i agjendës reformuese në kuadër të programit për Reforma dhe Rritje.

“Kjo përpjekje do të mbështetej ndjeshëm nga një zbatim më vendimtar i agjendës së reformave të Kosovës në kuadër të programit për Reforma dhe Rritje, i cili së fundmi është ratifikuar dhe tani duhet të fillojë të zbatohet”, përfundoi ai.


Shtuar 17.03.2026 15:27

Tags: ,