Tani është adoleshenti më i shtrenjtë shqiptar, zbulohet shifra rekord me të cilën vlerësohet 16-vjeçari që po e ndjek e gjithë Europa

Adri Mehmetit i kanë mjaftuar pak javë në radhët e Nju Jork Red Bull në MLS, për t’u kthyer në një nga emrat më të ndjekur nga klubet e mëdha në Europë. Futbollisti po shkëlqen si mesfushor me ekipin e tij dhe ka dhënë asiste në të dy javët e para të kampionatit, duke treguar një potencial të jashtëzakonshëm pavarësisht moshës shumë të re.

Kjo ka bërë që disa nga klubet më të mëdha në Europë të ndjekin futbollistin dhe bëhet e ditur se që tani janë Arsenali e Çelsi ata më të interesuara për lojtarin, nëse klubi amerikan vendos ta shesë. Duhet kujtuar se ai është pjesë e grupit Red Bull, që ka si epiqendër klubin e RB Lajpcig në Gjermani, ndaj edhe një transferim i mundshëm i një lojtari me potencial, do të bëhej vetëm brenda “familjes” apo për një shifër të lartë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se që tani, Mehmeti vlerësohet 20 milionë euro nga klubi amerikan, i cili me këtë çmim të lartë po mundohet të tregojë potencialin e jashtëzakonshëm që ka futbollisti që në moshën 16-vjeçare. Për më tepër, ky vlerësim edhe mund të rritet nëse ai vazhdon të paraqitet në këto nivele në të ardhmen e nëse së shpejti merr edhe një ftesë nga ekipi përfaqësues i SHBA, që ka përfaqësuar së fundmi me moshat, apo edhe i Shqipërisë për të cilën ka luajtur me U15. /PANORAMASPORT.AL


Shtuar 16.03.2026 17:20