Gjykata Kushtetuese, ka publikuar datat e seancave plenare, ku do të shqyrtohen çështjet e planifikuara, mes tyre edhe kërkesa e Erion Veliajt, i cili kërkon ndryshimin e masës “Arrest me burg”.
Seanca për kryetarin e bashkisë, është caktuar më 20 maj 2026, në orën 10:00 dhe ka për objekt shqyrtimi shfuqizimin e disa vendimeve të Gjykatës së Posaçme.
Në ankimin e tij, Veliaj kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dy vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin dhe vazhdimin e masës, të marra në datat 9 shkurt dhe 12 shkurt, atë të Apelit të Posaçëm të datës 13 mars 2025, si dhe të vendimit të 8 korrikut 2025 të Gjykatës së Lartë për rrëzimin e rekursit.
Po ashtu më 5 maj do të shqyrtohet kërkesa e jo më pak se një të katërtës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetence me Kuvendin, që lidhet me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Ndërsa më 26 maj 2026, në orën 11:00, do të shqyrtohet kërkesa e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shfuqizimin e disa dispozitave të dekreteve të Presidentit të Republikës që kanë të bëjnë me emërimin e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Të nderuar kolegë,
në faqen zyrtare janë publikuar datat e seancave plenare për shqyrtimin e çështjeve të planifikuara për periudhën 21 prill – 28 maj 2026.
Ndër çështjet që do të shqyrtohen gjatë kësaj periudhe janë edhe:
1- kërkesa e jo më pak se një të katërtës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës me Kuvendin lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare (Data e seancës, 05.05.2026, ora 10:00)
2- kërkesa e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shfuqizimin e disa dispozitave të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave (Data e seancës, 26.05.2026, ora 11:00)
3- kërkesa e Erion Veliajt për shfuqizimin e disa vendimeve të gjykatës së posaçme. (20.05.2026, ora 10:00).
