S’ka kuorum, ndërpritet seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës

Është mbyllur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm për zhvillimin e procesit të votimit.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sqaroi se në raundin e parë dhe të dytë të votimit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë, në mënyrë që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Për shkak të mungesës së këtij numri deputetësh në sallë, seanca u ndërpre pa u zhvilluar votimi për zgjedhjen e presidentit.

“Në sallë janë 66 deputetë. Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar mëtutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra thirrje deputetëve që mungojnë që të vijnë, të jenë të pranishëm në përputhje me kërkesat e Kushetutës së Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë situate është se ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk i kemi 2/3 e deputetëve, rrjedhimisht nuk mund të vazhdojmë me votimin e raundeve. Sepse siç e dini në votimin e parë dhe të dytë duhet të marrin pjesë 80 deputetë, e në raundin e tretë së paku 61 deputetë. Me këtë rast po e ndërpresë këtë seancë dhe natyrisht se do ta vazhdojmë në qoftë se plotësohen kushtet”, tha kryeparlamentarja Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje paraprakisht prezantoi dy kandidatë për postin e presidentit, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun.


Shtuar 5.03.2026 23:39