Ditën e nesërme, 5 mars 2026, Kuvendi do të mblidhet për seancën e radhës plenare, ku janë parashikuar për diskutim dhe miratim disa projektligje.
Në rendin e ditës nuk është përfshirë çështja e ish-zv kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin dhe i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit si deputete.
Kujtojmë që dy ditë më parë Grupi i PD-së depozitoi në Kuvend raportin e tyre pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku argumentojnë se përse Kuvendi duhet të votojë pro kërkesës për heqjen e imunitetit të saj.
Por, socialistët, që do të dalin në një raport më vete, nuk kanë publikuar ende asgjë.
Belinda Balluku, u shkarkua javën e kaluar nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe tashmë mbetet në duart e SPAK.
Ish-zëvendës kryeministrja përballet zyrtarisht me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në tunelin e Llogarasë, ndërsa aktualisht është nën hetim edhe për procedura të tjera tenderuese, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe.
SPAK ka argumentuar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve se kërkesa për arrestin e saj vjen për shkak se pozitat e saj janë rënduar, dhe se ka dyshime që ajo ka përdorur persona të fortë dhe zyrtarë publikë për të intimiduar dëshmitarët.


