Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pas raportimeve të mediave izraelite se lideri suprem është vrarë, tha të shtunën se Ajatollah Ali Khamenei, është ende gjallë për aq sa e di ai.
“Pothuajse të gjithë zyrtarët janë shëndoshë e mirë dhe gjallë. Mund të kemi humbur një ose dy komandantë, por ky nuk është një problem i madh”, tha ai.
Kur u pyet për komentet e pararegjistruara të Presidentit të SHBA-së Donald Trump pas sulmeve, Araghchi i etiketoi përpjekjet për ndryshimin e regjimit si “Mision i Pamundur”.
“Nuk mund të bësh ndryshim regjimi ndërsa miliona njerëz mbështesin këtë të ashtuquajtur regjim”, tha ai, duke shtuar se Teherani është “sigurisht i interesuar për deeskalimin”.
Të shtunën në mëngjes, Izraeli nisi atë që e quajti një sulm “parandalues” kundër Iranit nën emrin “Zhurma e Luanit”, duke shpallur një gjendje të jashtëzakonshme “të veçantë dhe të menjëhershme” në të gjithë vendin.
Trump më vonë tha se forcat e tij nisën “operacione të mëdha luftarake” në Iran që synonin “mbrojtjen e popullit amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian”.
Sulmet vijnë ndërsa bisedimet midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor të Iranit kishin vazhduar nën ndërmjetësimin e Omanit. Një raund i ri bisedimesh në Gjenevë përfundoi të enjten.

