Jennifer Garner: Puna me fëmijë më ka ndihmuar të jem një nënë më e mirë

Aktorja e njohur Jennifer Garner ka folur hapur për prindërimin dhe ndikimin që puna me fëmijë në ekran ka në jetën e saj personale. E ftuar në podcastin Not Gonna Lie, të drejtuar nga Kylie Kelce, Garner u shpreh se bashkëpunimi me fëmijë të moshave të ndryshme e ndihmon të rritet si nënë.

“E dua shumë intimitetin e kësaj marrëdhënieje, pavarësisht nëse është me një vogëlush, një fëmijë, një adoleshent apo një të ri. I dua të gjithë,” tha ajo. Sipas aktores, këto përvoja i japin perspektivë për veten si prind: “Më ndihmojnë të kuptoj më mirë veten time si nënë.”

Garner, 53 vjeçe, e njohur për rolet në 13 Going on 30 dhe The Last Thing He Told Me, shtoi se shpesh i sheh këto marrëdhënie si një ushtrim për jetën reale. “Po praktikoj këtë lloj marrëdhënieje, madje edhe përplasjet që vijnë me të, për t’i marrë më pas në shtëpi dhe për të qenë një prind më i mirë,” u shpreh ajo.

Aktorja, e cila ka tre fëmijë me ish-bashkëshortin Ben Affleck, tregoi gjithashtu se një nga mësimet më të vështira të prindërimit është të dish kur të heshtësh. “Vjen një moment kur nuk duhet t’u thuash fëmijëve gjithçka. Duhet thjesht të rrish e qetë,” tha ajo me humor.

Në bisedë, Garner foli edhe për ndërhyrjet estetike, duke theksuar se nuk dëshiron të bëjë premtime për të ardhmen: “Jam kjo që jam sot dhe nuk e di si do të ndihem nesër.”


Shtuar 26.02.2026 17:14