Pranohet kërkesa e avokatëve, Arben Ahmetaj do të japë dëshminë “online” në GJKKO për çështjen “Buka”

Këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, që ky i fundit të japë shpjegime në gjyqin për dosjen Buka, dosje në të cilët ndodhet i pandehur.

Mediat bëjnë me dije se GJKKO do të lejojë Ahmetajn të dëshmojë me audio ose video konferencë në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës.

Kujtojmë që në seancën e ditës së sotme në GJKKO, prokurori i çështjes Elvin Gogaj paraqiti kërkesat për provat shkresore dhe ato me dëshmitarë.

Prokuroriu tha se SPAK akuzon Ahmetajn se e ka kryer me dashje shpërdorimin e detyrës dhe nuk ka zbatuar një vendim gjykate megjithëse ishte ne dijeni.

Ndërsa në seancën e radhës u thirr për të dëshmuar biznesmeni Lirim Fezollari, i cili ka përfituar nga privatizimi ndërsa në listë është edhe familja Myderizi si dhe ish-ministri Financave Shkëlqim Cani.

Kujtojmë që me vendim të SPAK, Arben Ahmetaj do të gjykohet veçmas biznesmenit Fezollari dhe të pandehurit e tjerë. Ahmetaj po hetohet për privatizimin e një ish-furre buke.

Ndaj Ahmetajt u ngrit akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë.

Ai akuzohet në këtë dosje për një firmë të lëshuar gjatë 2014 e cila i hapi rrugën privatizimit të shoqërisë përmes ankandit të aksioneve shtetërore. Një transfertë bankare përcjellë drejt Hungarisë nga një subjekt privat.

Arben Ahmetaj ndodhet prej 2023 në arrati, pasi ka refuzuar përballjen me drejtësinë, duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht. Nga Zvicra ku ka aplikuar për azil, ai ka thënë se do të përballet me drejtësinë vetëm kur ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë.

Biznesmeni Lirim Fezollari bleu më 21 gusht 2015 45.97% të aksioneve shtetërore për 3.2 milion euro, mori në zotërim tokën, mori leje ndërtimi dhe ngriti qendrën tregtare “Emerald Mall”.

Në Maj të vitit 2023, biznesmeni i “Tabacco Holding Group” njëherësh dhe përfituesi i ankandit për privatizimin e aksioneve shtetërore të “Buka Sh.a”, Lirim Fezollari është paraqitur në SPAK duke dhënë shpjegime për procedurën e përfitimit të ish-Fabrikës së Bukës në Tiranë.


Shtuar 11.02.2026 19:38