Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehet se ndaj deputetëve demokrate është ushtruar dhunë nga ana e policisë.
Sipas tij, kjo tregon se Rama kërkon përballje civile, duke e akuzuar atë se është një hakmarrës primitiv, që për të shpëtuar vetën dhe Ballukun është i gatshëm të bëjë çdo gjë.
“Dhuna ndaj deputeteve tregon se Rama kërkon përballje civile. Rama është hakmarrës primitive që për të shpëtuar nga vjedhjet që ka bërë me Lubinë është i gatshëm për çdo veprim vetëm ti shpëtojë ligjit. E garantoj se është i pashpresë. Kryengritja paqësore fakton këtë që Rama është i pashpresë.
Ata po e kuptojnë që kohërat i kanë të numëruara. Rama përsëriti sot në mëngjes thirrjet e dajkos së tij xhelat Sotir Koleka, i cili më 11 dhjetor 1990 bënte thirrje në plenumin e komitetit qendror t’i futen tanket studenteve, sepse ata janë …përdori atë fjalë që nuk dua ta them këtu, që Edi Rama e mban në gojë nga mëngjesi deri në darkë. Rama përdori fjalorin e dajos së tij xhelat kundër protestueseve. Një popull të tërë e quajti me ato fjalë”, tha Berisha.
Teksa komentoi reagimin e policisë dhe procedimet për deputetët e PD, Berisha tha se Belind Këlliçi që është në SHBA ishte mes personave që sipas policisë nxiti dhunë.
“Policia njoftoi se ka dërguar për ndjekje penale Flamur Nokën, Ervin Minarollin, Kelvis Balliun që e kanë keqtrajtuar dje, janë përpjekur ta asfiksojnë me gaz në fytyrë, kanë dërguar Belind Këlliçin, i cili në kohën kur po zhvillohej protesta po drekonte me një kandidat për në Kongres të SHBA, shqiptaro amerikan në Miçigan. Kuptoheni se çfarë mashtruesish ordinerë janë. Por këtë e kishin të parapërgatitur. Nuk morën asnjë informacion. Belindi ka nxitur dhunën në një kohë kur po drekonte në Miçigan”, u shpreh kreu i PD.
