GJKKO shpall fajtorë dhe dënon Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin! Ja sa vite burg do të vuajnë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor dhe ka dënuar dy persona, të akuzuar për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe krimit të organizuar.

Bëhet fjalë për shtetasit Gëzim Bakalli (alias Shkembim Cërmanji) dhe Erjon Loci, të cilëve u janë sekuestruar rreth 1400 kg drogë, 10 mijë tableta ekstazi, armë, karta bankare, etj.

Sipas vendimit të gjykatës, Gëzim Bakalli u deklarua fajtor për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit, si dhe për disa vepra të falsifikimit të dokumenteve.

Në vendim thuhet se pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 12 vjet dhe 8 muaj burgim.

Ndërkohë, Erjon Loci u shpall fajtor për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes. Gjykata vendosi ndaj tij një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burgim.

Të dy personat do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.


Shtuar 10.02.2026 16:38