Ditën e sotme, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, është takuar me tregtarët e Vlorës, të cilët kanë dalë në protestë kundër vendimit të bashkisë për zhvendosjen e tyre nga zona e Tregut Industrial, për të hapur rrugë për rindërtimin e tij.
Gjatë takimit, Spiropali pranoi se nuk kishte qenë në dijeni të plotë të situatës dhe premtoi se do të bisedojë me kryetaren e bashkisë dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak për të kuptuar më nga afër problematikën e tregtarëve.
“Kemi 30 vjet që punojmë, me taksa me të gjitha. Sot, ne hidhemi në rrugë, jemi me ilaçe, jemi të sëmurë. Nuk na la policia në Këshillin Bashkiak”, u dëgjua të thoshte një prej qytetareve.
“Do të flas me kryetaren dhe me anëtarët e këshillit bashkiak, që të njihem më konkretisht me problemin tuaj”, u përgjigj Spiropali.
Tregtarët protestojnë pasi nuk janë dakord me vendimin e bashkisë për ngritjen e dy tregjeve të përkohshme: tregu i fruta-perimeve në lagjen “24 Maji” dhe tregtimi i mallrave të tjera në zonën industriale të Çolës.
Ata kërkojnë që zhvendosja të bëhet në zona më pranë qytetit, për të mos humbur klientelën dhe për të shmangur rrezikun e falimentimit.

