Kryeministri grek për deklaratat e Ramës, Mitsotakis: I shpëtojnë shpesh gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte

Deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama në një forum ndërkombëtar në Abu Dhabi kanë shkaktuar reagime dhe tensione në Greqi.

Në një intervistë për stacionin televiziv Alpha mëngjesin e sotëm, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i është referuar mes të tjerash edhe deklaratave të homologut shqiptar në lidhje me origjinën e grekeve.

Mitsotakis i ka cilësuar deklaratat e Ramës si “të papërshtatshme” dhe një “deklaratë të gjykuar gabimisht”, duke theksuar se ato nuk kontribuojnë në klimën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Mitsotakis nënvizoi se kishte vënë re edhe një përpjekje të mëvonshme të Ramës për korrigjim, por pa i dhënë rëndësi të veçantë.

“E njoh z. Rama prej shumë vitesh, ai ka një mënyrë të veçantë të shprehuri dhe shpesh herë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin e tij. Unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri, ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas”, tha ai.


Shtuar 17.01.2026 14:47