Një aplikacion me një emër të pazakontë dhe paksa makabër, por me një qëllim të thjeshtë, ka arritur të bëhet viral në Kinë, duke përfituar nga një nevojë reale në megaqytetet moderne.
Aplikacioni quhet ‘Are you dead’ dhe funksionon si një kontroll dixhital sigurie: çdo dy ditë, përdoruesit i kërkohet të shtypë një buton për të konfirmuar që është mirë. Nëse kjo nuk ndodh, aplikacioni njofton personin e caktuar si kontakt emergjence, duke paralajmëruar se diçka mund të jetë e gabuar.
Edhe pse u lançua në maj të vitit të kaluar, në javët e fundit ka parë popullaritet të madh, veçanërisht në mesin e të rinjve që jetojnë vetëm në qytetet kineze. Rezultati? Është bërë aplikacioni me pagesë më i popullarizuar në vend.
Sipas shifrave të cituara nga mediat kineze dhe një raporti të BBC-së, deri në vitin 2030 numri i njerëzve që jetojnë vetëm në Kinë mund të arrijë në 200 milionë. Pikërisht kësaj audience i drejtohet aplikacioni, i cili e përshkruan veten si “një shoqërues diskret sigurie” për punëtorët, studentët ose këdo që ka zgjedhur të jetojë vetëm.
Në mediat sociale kineze, përdoruesit raportojnë se aplikacioni u ofron atyre një ndjenjë sigurie . “Ata që jetojnë vetëm, në çdo fazë të jetës së tyre, kanë nevojë për diçka të tillë“, komentoi një përdorues, ndërsa të tjerë flasin hapur për frikën se mos diçka ndodh pa e vënë re askush.
Midis tyre është Wilson Hou, 38 vjeç, i cili punon në Pekin larg familjes së tij. “Jam i shqetësuar për idenë se diçka mund të më ndodhë dhe askush nuk do ta dijë”, thotë ai, duke shpjeguar se si e ka caktuar nënën e tij si kontakt emergjence.
Megjithatë, emri i aplikacionit nuk i ka shpëtuar kritikave. Disa e konsiderojnë shumë të errët ose edhe ogurzi, duke sugjeruar alternativa më neutrale ose pozitive. Kompania që qëndron pas aplikacionit, Moonscape Technologies, ka thënë se po e shqyrton seriozisht ndryshimin e emrit.
Në nivel ndërkombëtar, aplikacioni njihet si Demumu dhe renditet lart në listat e aplikacioneve me pagesë në vende si SHBA-ja, Singapori dhe Australia.
Me një kosto prej vetëm 8 juanësh (rreth 1 euro), “Are You Dead?” filloi si një projekt i vogël nga një grup të rinjsh nën 30 vjeç dhe tani po evoluon në një ide premtuese teknologjike. Në fakt, ekipi tashmë po shqyrton krijimin e një aplikacioni të ngjashëm për të moshuarit, në një vend ku më shumë se 20% e popullsisë është mbi 60 vjeç.
Nevoja për aplikacione që mbështesin njerëzit që jetojnë vetëm është absolutisht reale, sipas ekspertëve të demografisë sociale.
Wei-Jun Jean Yeung, profesoreshë e demografisë sociale në Universitetin Kombëtar të Singaporit, i thotë Financial Times se ndryshimet sociale dhe demografike po çojnë me shpejtësi në një rritje të familjeve me një person. “Rënia e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë, rënia e martesave dhe rritja e divorceve po krijojnë një realitet që favorizon jetesën vetëm”, shpjegon ajo. “Shqetësimi është real.”
Ky trend pasqyrohet qartë në të dhënat zyrtare: në vitin 2024, Kina regjistroi vitin e tretë radhazi të rënies së popullsisë, ndërsa tashmë në vitin 2023 humbi titullin e vendit më të populluar në botë ndaj Indisë.
Një nga tre bashkëkrijuesit e rinj të aplikacionit, i cili prezantohet vetëm si Lyu, shpjegoi për mediat lokale se audienca që ata synojnë janë kryesisht të rinj që jetojnë vetëm në qendra të mëdha urbane, me theks të veçantë te gratë rreth moshës 25 vjeç. Këta janë njerëz që shpesh përjetojnë ndjenja të forta vetmie për shkak të mungesës së komunikimit të përditshëm, por gjithashtu shqetësohen për mundësinë e ndodhjes së diçkaje të papritur pa e kuptuar askush.
Biao Xiang, një studiues në Institutin Max Planck për Antropologji Sociale, vëren se shumë të rinj në Kinë u rritën duke besuar se përmbushja e qëllimeve të tyre do të çonte në mënyrë të pashmangshme në sukses. Por një ekonomi e ngadalësuar dhe mundësitë e kufizuara të punësimit e kanë shkatërruar këtë premtim. Në këtë klimë, regjistrimi në një aplikacion të tillë vepron si një shprehje e qetë pesimizmi për disa.
