Pasojat e përmbytjeve/ Vjosa largohet, dalin në sipërfaqe të mbjellat e dëmtuara në Fier

Pasojat e përmbytjeve të lumit Vjosë në fshatin Kashisht, pas tërheqjes së ujërave, janë tepër të rënda. Më të prekurit janë kultivuesit e luleshtrydheve, të cilët përllogarisin dëme në miliona lekë.

Fermerët Kreshnik Kapaj dhe Genti Halilaj, përkatësisht me 4 dhe 7 dynymë sera të mbjella me luleshtrydhe, ndodhen aktualisht në fazën e larjes së serave, të mbuluara nga balta e lënë pas nga përmbytjet.

Ata shprehen se përmbytje të tilla nuk kanë ndodhur që prej vitit 1971, ndërsa theksojnë se deri më tani asnjë institucion nuk ka dalë në terren për të verifikuar dëmet.

Dëmet e evidentuara deri tani përfshijnë rreth 50 hektarë tokë bujqësore, të mbjella kryesisht me grurë, bazë ushqimore për bagëtitë e 18 fermerëve të zonës.

Fermerët fajësojnë për këtë situatë ndërtimet pa kriter të argjinaturave dhe ngushtimin e shtratit të lumit Vjosë, veçanërisht në zonën e urës së autostradës Fier–Vlorë, që sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në përmbytjen e tokave bujqësore.


Shtuar 12.01.2026 16:22