Policia ka arrestuar shtetasen Alma Bime, 43-vjeçe, me detyrë drejtoreshë e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.
Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i saj u krye pas konstatimit se Bime kishte thyer masën e vendosur nga gjykata, ndërkohë që ndaj saj rëndojnë edhe akuza të reja për ngjarje të përsëritura dhune dhe kanosjeje ndaj ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori.
Më herët, gjatë muajit dhjetor, Alma Bime, ishte shoqëruar nga Policia nën dyshimet për kanosje të një shtetasi të huaj përmes mesazheve, si edhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit, e ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios. Pas kësaj ngjarjeje, gjykata kishte caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e cila rezulton të jetë shkelur.
Sipas të dhënave të hetimit, më 31 dhjetor, Bime dyshohet se ka tentuar sërish t’i vërë flakën banesës së ish-bashkëjetuesit, si dhe ka tentuar ta plagosë atë, ç`ka ka çuar në përkeqësimin e pozitës së saj ligjore dhe arrestimin nga shërbimet e Policisë.
Pavarësisht arrestimit dhe akuzave të rënda, rasti ka ngritur pikëpyetje të forta publike mbi faktin se si Bime ka vijuar të mbajë funksionin e saj në Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që ndodhej nën masë sigurie.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa pritet që Prokuroria të kërkojë një masë më të rëndë sigurie ndaj saj.
