Deputetët e Partisë Demokratike, kanë denoncuar se Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka urdhëruar mbylljen e sallës së mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke penguar zhvillimin e mbledhjes së thirrur nga opozita për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Pesë anëtarët e opozitës në këtë Këshill janë paraqitur në ambientet e Kuvendit, por janë përballur me dyert e mbyllura të sallës, duke u pamundësuar mbajtjen e mbledhjes.
Sipas deputetit Oerd Bylykbashi, pesë anëtarët e Këshillit përbëjnë gjysmën e anëtarëve dhe, sipas ligjit, kanë të drejtën e plotë për të thirrur dhe zhvilluar mbledhjen.
Po ashtu, si theksoi se urdhri për mbylljen e sallës është dhënë drejtpërdrejt nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
“Me praninë e 5 anëtarëve mbledhja është e vlefshme, por kryetari refuzon të thërras pjesën tjetër, të bëj veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligi, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishme kushtetues për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandalozi korruptive”, tha ai.
Ai shtoi se deputetët e opozitës po qëndrojnë në pritje që Kuvendi të vërë në dispozicion sallën për zhvillimin normal të mbledhjes, ndërsa mediat nuk janë lejuar të futen as në ambientet e sallës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Bylykbashi: 5 anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kanë bërë kërkesë për të thirrur mbledhjen me rend dite shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv. kryeministres, ministres dhe deputetet Belinda Balluku në kuadër të hetimeve që ata po bëjnë për shkeljet skandaloze që janë konstatuar.
Ne kemi bërë këtë kërkesë si gjysma e antarëve të cilët kanë të drejtë ta thërrasin. Me praninë e 5 anëtarëve mbledhja është e vlefshme, por kryetari refuzon të thërras pjesën tjetër, të bëj veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligi, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishme kushtetues për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandalozi korruptive.
Ne presim këtu, jemi në pritje që Kuvendi të na vërë në dispozicion që kjo mbledhje të jetë funksionale. Por ja ku jemi Kryetari i kuvendit e ka bllokuar, dera është e mbyllur.
