Tre punonjës të Bashkisë së Vlorës, janë pezulluar nga detyra që prej datës 19 dhjetor 2025, pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve.
Në lidhje me këtë ngjarje, ka nisur procedim disiplinor edhe ndaj një efektivi të Policisë Bashkiake.
Ngjarja u regjistrua më 19 dhjetor, kur punonjësi i Policisë Bashkiake, I.Dh., njoftoi Përgjegjësin e Sektorit, E.V., se shoferi i një kamioni të ushtrisë, i parkuar brenda territorit të Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve dhe i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit, kishte konstatuar shenja të dyshimta që mund të tregonin marrjen e karburantit nga mjeti i punës.
Pas njoftimit, Përgjegjësi i Sektorit së bashku me efektivin P.M. shkuan në ambientet e Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve.
Pas kontaktit me komandantin përgjegjës të mjeteve të ushtrisë, u siguruan dhe u verifikuan pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ishte parkuar kamioni.
Nga verifikimi i pamjeve filmike rezultoi se kamera monitoruese që mbulonte këtë zonë ishte spostuar qëllimisht.
Një situatë e ngjashme u konstatuan edhe në një tjetër interval kohor, gjatë të cilit me shërbim ishte efektivi i Policisë Bashkiake M.J.
Sipas deklarimit të tij, kamerat u lëvizën pasi dy punonjës të ndërmarrjes së pastrimit, me iniciale A.B. dhe B.H., kishin kërkuar zhvendosjen e pamjes për të furnizuar automjetin e tyre me një bidon naftë.
Policia Bashkiake, ka nisur procedim disiplinor ndaj efektivit M.J. për shkelje gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa hetimet administrative vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Megjithatë, pavarësisht masave të marra, punonjësit e përfshirë kanë kërkuar të paraqiten sërish në punë.
