Aktorja shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku, e njohur për rolin e saj në serialin ikonë për adoleshentë, Buffy The Vampire Slayer, duket krejtësisht ndryshe tani, thuhet në një shkrim të publikuar nga tabloidi i famshëm britanik DailyMail.
Fansat mund të kenë vështirësi ta njohin, pasi gjatë afro një dekade larg skenës, pamja e saj ka ndryshuar dukshëm.
Tani 44-vjeçe, Eliza shfaqet me flokë të gjatë dhe me ngjyra të theksuara, një ndryshim i madh nga flokët kafe me gjatësi supe që mbante në rolin e saj si Faith Lehane.
Në postimet e fundit në rrjetet sociale, ajo duket gjithashtu më e relaksuar, shpesh pa makijazh dhe e veshur shumë thjesht, duke treguar një mënyrë jetese krejt tjetër nga ajo e viteve të saj në Hollywood. Megjithatë, ajo duket jo e plakur dhe plot energji.
Që nga largimi nga fama, Eliza ka lënë pas shkëlqimin e Hollywood-it dhe ka zgjedhur një jetë të qetë larg kamerave. Ajo tani është e certifikuar në terapi me ndihmën e psikedelikëve dhe së fundmi përfundoi masterin në këshillim dhe shëndet mendor klinik në Universitetin Lesley.
Në prill të këtij viti, ajo ndau në Instagram një seri fotografish nga diplomimi, duke shkruar: “Të diplomosh me master (!!) ndjehet më shumë se një arritje – është si të realizosh një thirrje të thellë. Pas pothuajse një dekade pune të brendshme dhe ndërtimit të një jete të re, jam kaq mirënjohëse për këtë moment. Për veten time më të lartë – për këtë hap të guximshëm larg gjithçkaje që njihja dhe për ta bërë të ndodhë”.
Bashkëshorti i saj, Peter Palandjian, një zhvillues i njohur i pasurive të patundshme, po mbështet së bashku me të studime dhe prova klinike mbi potencialin e psikedelikëve, sipas një interviste të 2024 për Boston Magazine. Eliza theksoi: “Kisha mundësinë të ndryshoja drejtim dhe të zgjidhja një rrugë që fokusonte shërimin tim, që më pas të mund të ndihmoja të tjerët”.
Ajo është gjithashtu prodhuese ekzekutive e një dokumentari të ri për Netflix, In Waves and War, që eksploron efektet e terapive me psikedelikë tek veteranët që vuajnë nga PTSD dhe trauma të tjera.
Eliza nuk është parë në ekran që nga viti 2017, kur luajti në The Saint të Netflix dhe në serialin Bull të CBS, ku roli i saj si personazh kryesor u ndërpre pas akuzave për ngacmim seksual ndaj bashkë-lojtarit Michael Weatherly. Pas një procesi ndërmjet CBS dhe Elizës, ajo mori një marrëveshje konfidenciale prej 9.5 milionë dollarësh (8.1 milionë euro).
Eliza filloi të bëhej e njohur në 1998, kur u zgjodh për rolin e Faith, personazhi rebel në Buffy The Vampire Slayer, dhe e luajti deri në 2003. Ajo gjithashtu riktheu rolin e saj në spin-off-in Angel. Pas Buffy, ajo luajti në filmin e njohur të cheerleading-ut, Bring It On (2000), që u bë një klasik kult.
Në jetën personale, Eliza u martua me Peter në 2018 dhe çifti ka dy fëmijë. Familja tani jeton në Boston, qyteti i lindjes së saj, duke shijuar një jetë të qetë larg shkëlqimit të Hollywood-it.
