Dy adoleshentë australianë kanë çuar në Gjykatën e Lartë ndalimin kombëtar të mediave sociale për personat nën 16 vjeç, duke argumentuar se ligji është jokushtetues dhe u cenon të drejtën për komunikim të lirë.
Masa, e cila hyn në fuqi më 10 dhjetor, u kërkon platformave si Meta, TikTok dhe YouTube të ndalojnë fëmijët të kenë llogari aktive.
Noah Jones dhe Macy Neyland, të mbështetur nga Projekti i Lirisë Dixhitale (DFP), pretendojnë se ligji “i hesht” të rinjtë dhe shpërfill të drejtat e tyre themelore.
Neyland e krahasoi masën me “1984” të Orwellit, ndërsa Jones e quajti politikën “dembele”, duke argumentuar se fëmijët kanë nevojë për masa mbrojtëse, jo për “heshtje”.
Ministrja e Komunikacionit, Anika Wells, deklaroi në parlament se qeveria nuk do të tërhiqet përballë sfidave ligjore ose presionit nga kompanitë e teknologjisë. Ajo theksoi vendosmërinë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet dhe algoritmet e dëmshme.
Media australiane raporton se edhe Google ka shqyrtuar mundësinë e një padie të ngjashme. Ndërkohë, sondazhet tregojnë se një shumicë e të rriturve mbështesin ndalimin, por ekspertë të shëndetit mendor paralajmërojnë se izolimi social dhe largimi nga platformat kryesore mund t’i shtyjnë të rinjtë drejt hapësirave më pak të rregulluara të internetit.
