Në kampin Kelly ka përfunduar me sukses ushtrimi “Kelly’s Heroes 2026”, ku morën pjesë ushtarë nga Gjermania, Hungaria, Italia dhe Rumania që shërbejnë në Batalionin Rezervë Taktik të Kosovës (KTRBN).
KFOR-i njoftoi se stërvitja u përqendrua te procedurat e kontrollit të turmave dhe trazirave. Synimi ishte të forcoheshin ndërveprueshmëria, koordinimi dhe gatishmëria operacionale e ushtarëve nga vendet pjesëmarrëse.
Të lidhura
None found
Gjatë trajnimit u zhvilluan skenarë realistë me mjete tokësore dhe ajrore. Sipas KFOR-it, pjesëtarët e KTRBN-së treguan se mund të veprojnë së bashku si forcë shumëkombëshe, duke mbajtur standarde të larta profesionalizmi dhe pune në ekip.
KFOR-i theksoi se kjo stërvitje pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të misionit për një mjedis të sigurt e të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes së të gjitha komuniteteve, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara.








