Uniformat blu në Tiranë, kanë vënë në pranga një 37-vjeçar të dyshuar për disa raste vjedhjesh me thyerje në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar nga policia, është arrestuar Ndriçim Koka, 37-vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje.
Hetimet treguan se ky shtetas, më 8 nëntor 2025, ka vjedhur 12 milionë lekë në një banesë në rrugën “Artan Lenja”.
Po ashtu, më 19 tetor 2025, ai kishte kryer një tjetër vjedhje me thyerje në një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku kishte marrë produkte me vlerë rreth 50 mijë lekë.
“Si rezultat i hetimeve intensive të kryera me qëllim zbardhjen e vjedhjeve dhe identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin “Saga”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi N. K., 37-vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas:
-më datë 08.11.2025, ka vjedhur 12 milionë lekë, në një banesë në rrugën “Artan Lenja”;
-më datë 19.10.2025, ka vjedhur me thyerje, produkte me vlerë rreth 50 000 lekë, në një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi N. K.”– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
