Kirkinezis, ka bashkëpunuar në SPAK dhe ka treguar gjithçka mbi tenderin 2 milion euro të hapur nga ministria e Belinda Ballukut, ku sipas tij njeriu që ka bërë pazarin është vartësi i Belindës, Evis Berberi.
Sipas rrëfimit të inxhinierit Grek, Evis Berberi, është dhe njeriu që ka bërë shkesin për lidhjen e “martesës” mes kompanisë së tij “Hill International N.V” dhe kompanisë “Net-Group” të Valter Begaj.
Sipas tij, tenderi është paracaktuar gjatë diskutimeve në kafe.
Përmes takimeve mes inxhinierit grek dhe drejtorit të ARRSH-së Evis Berberi, ky i fundit është kujdesur në detaje për paracaktimin e garës së hapur nga Ministria e Infrastrukturës, dhe këtë gjë e ka bërë kundrejt një shpërblimi financiar prej më shumë se 170 milion euro.
Ndërsa nga ana tjetër, letrat studimore për vlerësimin e kostos së përgjithshme i ka bërë pikërisht Ioannis Kirkinezis.
Letrat i bënte Kirkinezi, pazarin dhe martesën me Valter Begaj, e ka bërë Berberi, i cili ka shërbyer dhe negociator direkt me ministren Belinda Balluku, e cila kishte ekskluzivitetin e tenderit, ku ka mesazhet mes tyre, duket që tenderi është paracaktuar me qëllim përfitimi.
Gazetari Elton Qyno, ka raportuar i pari për prezencën në dosje të rrëfimit të inxhinierit Grek, ndërsa sot gazetari zbardh dhjetëra mesazhe të shkëmbyera mes Ioannis Kirkinezis dhe Evis Berberit, për takimet para tenderit dhe problemet që lindën.
Në dosjen hetimore thuhet se sekretaria e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Viola Haxhiademi me urdhrin Nr.2764 në datën 1 qershor 2021 ka ngritur njësinë e prokurimit për hartimin dhe administrimin e dokumenteve Genti Raça, Anila Luzi dhe Arlinda Gordani, Valbana Pepa (personi përgjegjës), Genti Raça dhe Adrian Kroi, për procedurën me objekt “Mbikëqyrës punimesh në objektin “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë).
Në bazë të një akti-ekspertimi të kryer në një aparat telefonik “BlackBery” ka rezultuar se 3 muaj para hapjes së tenderit Berberi dhe inxhinieri Grek në datën 27 gusht 2021, në orën 12:22, zhvillojnë këtë bisedë si më poshtë vijon:
Ioannis Kirkinezis i dërgon sms shtetasit Evis Berberi, me përmbajtje: “Përshëndetje! A ke ndonjë lajm për ofertuesin për mbikëqyrjen/supervizimin e Llogarasë? E pashë që kriteret janë shumë të forta. A mund të diskutojmë?”.
Ndërkohë në orën 12:43, Evis Berberi: “..Ende jo, por së shpejti do të publikohet”.
Në orën 12:44, Ioannis Kirkinezis: “A mund të flasim PARA publikimit (për kriteret)”.
Në lidhje me këto mesazhe në SPAK është pyetur inxhinieri Grek, Ioannis Kirkinezis, i cili ka deklaruar se ka pasur dijeni se do të publikohej tenderi i tunelit të Llogarasë.
Ai deklaron se në këtë komunikim i ka kërkuar takim Evis Berberi për të diskutuar në lidhje me kriteret e tenderit të mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë. Kjo, pasi shoqëria “Hill International NV” kishte interes që të merrte pjesë në këtë tender.
Ioannis Kirkinezis ka deklaruar se kërkonte informacion nga Evis Berberi, në lidhje me kriteret e këtij tenderi, pasi gjatë qëndrimit në Ministri kishte kuptuar se Evis Berberi, ishte përgjegjës përsa i përket tenderit të ndërtimit dhe tenderit të mbikëqyrjes së tunelit të Llogarasë.
Ioannis Kirkinezis, kujton se pas këtij komunikimi ka takuar Evis Berberi dhe i ka shprehur interesimin e shoqërisë “Hill International NV” për të marrë pjesë në këtë procedurë.
Ai kujton se gjatë takimeve me këtë shtetas, përpara publikimit të procedurës, kanë diskutuar për kriteret e tenderit, si dhe i ka ofruar një panoramë të shoqërisë “Hill International NV”.
Inxhinieri Grek ka deklaruar se e ka vënë në dijeni shtetasin Evis Berberi se çfarë kriteresh plotësonte shoqëria “Hill International NV” dhe çfarë kriteresh nuk plotësonte.
Qëllimi ishte që kriteret që do të publikoheshin, të ishin ato që plotësonte shoqëria “Hill International NV”.
Në datën 5 shtator 2021, në orën 18:14, Ioannis Kirkinezis i dërgon sms Evis Berberi: “…Përshëndetje Evis! Jam nga e hëna në të enjte në Tiranë. Nëse je i disponueshëm, mund të takohemi në një bisedë kafeje…”.
Në orën 18:15, Evis Berberi ia kthen: “…Të enjten…”.
Në orën 18:15, Ioannis Kirkinezis: “…Shkëlqyer. Më mirë mëngjes ose drekë Pasdite jam në fluturim…”.
Në orën 18:16, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 18:16, Ioannis Kirkinezis: “…Shihemi…”.
Në dosjen e SPAK thuhet se në lidhje me bisedat e mësipërme, rezulton se inxhinieri Grek Ioannis Kirkinezis ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në datën 6 shtator 2021 dhe ka dalë në datën 9 shtator 2021.
Teksa ka mbëritur në Tiranë, në datën 8 shtator 2021, në orën 11:31, Ioannis Kirkinezis i dërgon sms Evis Berberi: “…Përshëndetje Evis! Si e ke ditën nesër…?”.
Në orën 11:35, Evis Berberi: “…Tani kam disa takime…”.
Në orën 11:36, Ioannis Kirkinezis:“…Nesër nëse je në dispozicion nga ora 12:00 deri në 15:00 mund të takohemi…për të enjten.Po është në rregull…”.
Në orën 11:36-11:37, Evis Berberi ia kthen: “…Të prisja dje, Shihemi nesër”.
Në orën 11:37, Ioannis Kirkinezis: “…Mendova se më ke thënë, Më vjen keq (i referohet mesazhit të shtetasit Evis Berberi me tekst “Isha duke të pritur dje”)
Evis Berberi dhe inxhinieri Grek, janë takuar një ditë më pas në zyrën e tij në ARRSH, ku kanë përcaktuar modulitetet që do bëheshin dhe mblesërinë me kompaninë shqiptare “NET Group”.
Mbi të gjitha greku duhet të dërgonte dhe dokumentat e planit të supervizimit, të cilat do ishin falso tërësisht.
Pas takimit në muajit shtator, në datën 25 Tetor 2021, në orën 10:46, Ioannis Kirkinezis i dërgon sms Evis Berberi:“…Mirëmëngjesi! Kontrolloni emailin tuaj…”(i referohet mesazhit të shtetasit Evis Berberi të datës 29 korrik 2021, të orës 09:38, me tekst:”[email protected]”)”.
Nga këqyrja dhe marrja e të dhënave nga posta elektronike e Evis Berberi, rezulton se në datën 25 tetor 2021, në orën 10:45, është dërguar email nga adresa e postës elektronike
“[email protected]” në drejtim të adresës së postës elektronike të shtetasit Evis Berberi, “Evis. [email protected]”.
Në këtë email është bashkëlidhur dokumenti “Staffing Plan ik 2(EB).xlsx”, që është një tabelë e titulluar “Skeduli i stafit – Supervizioni i tunelit të Llogarasë”.
Kjo tabelë përbëhet nga dy grupe ekspertësh, si më poshtë:
Ekspertët kryesor/Key Experts” të përbër nga: Drejtuesi i projektit, Inxhinier strukturist, Inxhinier Terreni, Inxhinier Gjeolog, Inxhinier Hidroteknik, Inxhinier Materialesh, Inxhinier Elektrik, Inxhinier Mekanik, Inxhinier për sigurinë rrugore/Auditues i sigurisë rrugore, Inxhinier Gjeodet, Inxhinier Mjedisi.
“Ekspertët jo kryesor/ Non-Key Experts” të përbërë nga: Inxhinier Strukturist, Inxhinier Terreni, Inxhinier Gjeolog, Inxhinier Hidroteknik, Inxhinier Materialesh, Inxhinier Gjeodet.
Nga verifikimi i rubrikës “Info” të materialit të dërguar në email, konstatohet se ky dokument është krijuar nga përdoruesi “Massimiliano Monetti”, ndërsa për herë të fundit është modifikuar nga përdoruesi “Kirkinezis, Ioannis”, me modifikim të fundit në datën 25 Tetor 2021 në orën 10:43.
I pyetur në lidhje me email-in e mësipërm, Ioannis Kirkinezis deklaron se nga ana e tij është dërguar email në drejtim të shtetasit Evis Berberi.
Ky email përmban të dhëna në lidhje me stafin që duhej për të realizuar shërbimin e mbikëqyrjes së tunelit të Llogarasë.
Këtë email ia ka dërguar Evis Berberi me kërkesë të tij, për ta përdorur për kriteret e tenderit që do të publikoheshin.
Ndërkohë pasi njihet me këtë E-Mail në datën 25 Tetor 2021, në orën 14:38, Evis Berberi i dërgon sms Ioannis Kirkinezis: “…Përshëndetje do të vazhdoni me NET Group…”, si dhe i dërgon numrat celular të shtetasit Valter Begaj, +355694013591 dhe +355682020434.
Në orën 14:51, Ioannis Kirkinezis: “Ok faleminderit! Nuk Do t’a telefonoj”. Në orën 15:09, Evis Berberi: “Është në rregull”. Nga ana tjetër në orën 15:09, Ioannis Kirkinezis ia kthen Berberit: “…ok fola…ne do të shkëmbejmë disa e-maile me informacione dhe të martën do të takohemi personalisht për specifikat…”.
Në orën 15:39, Evis Berberi ia kthen: “Ok”.
Në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria holandeze “Hill Interantional” NV, me përfaqësues Ioannis Kirkinezis, në datën 28 dhjetor 2021 ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shoqërinë “Net Group” sh.p.k, me përfaqësues Valter Begaj, për të marrë pjesë së bashku në procedurën e prokurimit për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, ku në përfundim të procedurës së prokurimit janë shpallur fitues të saj.
I pyetur në lidhje me komunikimin e mësipërm, Ioannis Kirkinezis deklaron se gjatë bisedave të bëra, Evis Berberi i ka sugjeruar atij që të bashkëpunonte me shoqërinë e Valter Begaj, “Net Group”, përsa i përket tenderit të mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.
Evis Berberi, i ka dhënë numrin celular të Valter Begaj. Ioannis Kirkinezis, deklaron se nuk e njihte më herët Valter Begaj dhe shoqërinë e tij “Net Group” sh.p.k. Por, pas sugjerimit që i bëri Evis Berberi, ai është interesuar për këtë shtetas dhe këtë shoqëri.
Pas sugjerimit të Evis Berberi ai ka vendosur të vazhdonte bashkëpunimin me shoqërinë “Net Group”. Në datën 26 Tetor 2021, në orën 16:21, Ioannis Kirkinezis i dërgon sms
Shtetasit Evis Berberi: “Evis, Të mërkurën e ardhshme 3/11 Zëvendës Presidenti ynë i Parë dhe Drejtori Menaxhues për Evropën Z. Manolis Sigalas është në Tiranë. Do të ishte shumë mirë nëse keni ndopak kohë të lirë për të na takuar”.
Në orën 16:22, Evis Berberi: “Po sigurisht”.
Në orën 16:22, Ioannis Kirkinezis: “Shkëlqyer Faleminderit Të hënën të dërgoj mesazh për ta vendosur. Meqë ra fjala: Të hënën jam në Tiranë për të takuar Valterin për të koordinuar bashkëpunimin tonë”.
