DW: Dita e pestë e protestës në Tiranë kthehet në një nga përplasjet më të ashpra, dhjetëra të lënduar

Molotovë, gaz lotsjellës dhe plumba gome u përdorën gjatë ditës së pestë të protestës kundër qeverisë në Tiranë. Përballja mes demonstruesve dhe policisë ishte ndër më të ashprat, ndërsa ndërtesa dhe automjete u përfshinë nga flakët.

Studentët u mblodhën për të pestën ditë radhazi para Ministrisë së Arsimit rreth orës 11:00 të së shtunës (17.10.2026).

Të lidhura

None found

Protesta mbeti e qetë për afro një orë dhe u shoqërua kryesisht me veprime simbolike. Pjesëmarrësit ngritën flamurin kombëtar, ndërsa një valixhe, simbol i emigrimit, u dogj dhe u hodh në oborrin e ministrisë.

Më pas, protestuesit hodhën gurë, pllaka trotuari dhe kokteje molotov në drejtim të policëve. Këta të fundit përdorën ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Përplasjet u shtrinë edhe në Rrugën e Durrësit, ku gazi ua vështirësoi frymëmarrjen protestuesve, ndërsa policia u përpoq të ndalonte disa prej tyre.

Qytetarë që ndodheshin aty kundërshtuan mënyrën e ndërhyrjes së efektivëve. Njëri prej tyre e quajti atë “terror shtetëror”. Një qytetare tjetër i pyeti policët nëse u mjaftojnë të ardhurat për ilaçet, për mjekimin e prindërve dhe për shpenzimet spitalore.

Tensionet zgjatën për orë të tëra dhe u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Koktejet molotov i vunë flakën disa automjeteve, përfshirë një autobot policie që përdoret për hedhjen e ujit me presion.

Zjarri i shkaktuar nga molotovët e protestuesve përfshiu edhe hyrjen e ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyra të Bankës së Shqipërisë.

Flakë pati gjithashtu në një biznes në katin e parë pranë godinës së Gjykatës së Lartë; prej andej, zjarri u përhap në disa zyra të gjykatës.

Sipas të dhënave të raportuara deri tani, janë lënduar 21 efektivë policie dhe 13 protestues. Një polic u përfshi nga flakët, ndërsa disa studentë u goditën nga plumbat e gomës. Të lënduarve iu dha ndihmë mjekësore.

Në mbrëmje, policia i largoi protestuesit nga sheshi, por përplasjet vazhduan në rrugë të tjera të Tiranës. Në operacion morën pjesë edhe forcat speciale RENEA.

Teksa tensionet vijonin, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje mbështetësve të opozitës dhe qytetarëve në mbarë vendin që të mbështesin protestuesit përmes mosbindjes civile. Ai e cilësoi atë ndihmën më të çmuar për studentët dhe gjimnazistët, të cilët i quajti luftëtarë dhe heronj të vërtetë.

Berisha u kërkoi gjithashtu qytetarëve nga rrethet të vijnë në Tiranë ditën e nesërme, duke e paraqitur mobilizimin si hap të rëndësishëm në përballjen politike me qeverinë.

Pas përshkallëzimit të protestave, Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri përsëriti thirrjen për uljen e tensioneve dhe dialog konstruktiv. Në reagimin e saj, OKB-ja i cilësoi të papranueshme dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike ose private, duke theksuar se ato nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.

Organizata kërkoi mbrojtjen e së drejtës për tubim paqësor dhe të lirisë së shtypit. Ajo theksoi gjithashtu se ndërhyrjet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë garancitë e procesit të rregullt ligjor.


Shtuar më 18.10.2026 08:01