Një aksident automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e së martës në aksin Lushnje-Berat, pranë fshatit Kasht-Bardhë, ku janë përfshirë dy mjete, një Volkswagen dhe një Mercedes Benz. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar. Sipas informacioneve paraprake, Mercedes Benz, që lëvizte nga Lushnja drejt Beratit, dyshohet se ka kaluar në korsinë përballë dhe ka përplasur Volkswagenin. Pas përplasjes, mjeti Benz ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar mbi trafikndarësen e hekurt.
Drejtuesi i Benz-it, sipas dëshmitarëve, është larguar nga vendngjarja. Policia ka identifikuar shoferin dhe po vijon kërkimet për ta kapur, ndërsa po punohet edhe për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe për normalizimin e trafikut në këtë segment rrugor.
