Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka bërë me dije se opozita do të kërkojë pezullimin nga detyra të zëvendës kryeministres Belinda Balluku e cila është marrë sot e pandehur nga SPAK, në lidhje me veprën penale të “Shkeljes së Barazisë në tendera”, e lidhur me tunelin e Llogarasë.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se ekziston rreziku që ndërsa është në detyrë, Balluku të shantazhojë dëshmitarët, të prishë provat apo të arratiset si paraardhësi i saj Arben Ahmetaj.
“Për veprën penale në ngarkim të Belinda Ballukut ndodhen sot në qelitë e burgut disa zyrtarë publikë me shumë më pak rëndësi dhe pushtet se Belinda Balluku. Ajo nuk mund të gjykohet në gjendje të lirë, sepse ka pushtetin dhe potencialin për të shantazhuar dëshmitarë, prishur prova apo arratisur si paraardhësi”, shkruan Bardhi.
Postimi i plotë:
Marrja e pandehur nga SPAK e numrit 2 të qeverisë, ka nxjerrë lakuriq Edi Ramën si mbrojtës dhe garant i korrupsionit. Ai ndryshe flet dhe ndryshe vepron.
Një kryeministër që pretendon se mbështet luftën kundër pandëshkueshmërisë, nuk mund të mbajë si krahun e vet të djathtë një të akuzuar nga drejtësia për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë.
Në çdo vend normal, Kryeministri do ta kishte shkarkuar menjëherë një zyrtare të lartë të pandehur me një akuzë të tillë për tenderat publikë. Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, një e pandehur për një dëm prej 50 milionë eurosh ndaj shtetit vazhdon të qendrojë më majat e pushtetit dhe të ketë në dorë fonde publike e tendera të tjerë qindra milionësh.
Duke e mbajtur në detyrë, Edi Rama pengon drejtësinë dhe krijon rrezikun që provat e hetimit të manipulohen apo të zhduken. Kjo të çon në një përfundim të ditur për shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë: në krye të çdo afere të madhe korruptive, në krye të çdo abuzimi me tenderat e mëdhenj, në krye të çdo koncesioni të rëndësishëm është Edi Rama.
Por sot, është bërë e qartë edhe diçka tjetër me rëndësi për shoqërinë tonë të zhgënjyer nga korrupsioni kaq masiv: kallëzimi që bëra për tenderin e Tunelit të Llogarasë, për të cilën Belinda Balluku është marrë e pëndehur, nuk kanë qenë një akt thjesht partiak opozitar, por një shërbim madhor për interesin publik. Një shërbim ndaj qytetarëve që duan ndershmëri dhe llogaridhënie.
Opozita do të ndjekë me vëmendje çdo hap të mëtejshëm të hetimit dhe do të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut nga çdo detyrë publike për të garantuar që drejtësia të bëjë punën e saj pa ndërhyrje politike.
Dhe pavarësisht kësaj, SPAK ka detyrimin të ruajë të njëjtin standard. Për veprën penale në ngarkim të Belinda Ballukut ndodhen sot në qelitë e burgut disa zyrtarë publikë me shumë më pak rëndësi dhe pushtet se Belinda Balluku. Ajo nuk mund të gjykohet në gjendje të lirë, sepse ka pushtetin dhe potencialin për të shantazhuar dëshmitarë, prishur prova apo arratisur si paraardhësi.
