AMP arreston Oficerin e Patrullës në Vlorë, në gjendje të dehur gjatë ushtrimit të detyrës

Një inspektor i Patrullës së Përgjithshme në Vlorë është arrestuar në kushtet e flagrancës nga kolegët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pas një telefonate në sallën operative që raportonte sjellje të papërshtatshme nga ana e tij.

Sipas informacionit zyrtar nga AMP, mbrëmjen e kaluar një shtetas njoftoi se dy punonjës policie e kishin ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me sjellje jo etike. Pas verifikimit të situatës, inspektori H. I. u testua me matësin e alkoolit, ku rezultoi me një masë prej 0.82 mg/l, për të cilën u ndërmor arrestimi në flagrancë.

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor H. I., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshmë në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.

Arrestimi i tij u krye pas telefonatës së një shtetasi në sallën operative mbrëmjen e djeshme, i cili pretendon se dy punonjës policie e kanë ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me një sjellje jo etike. Pas verifikimit me testin matës së alkoolit, punonjësi H. I., ka rezultuar pozitiv në masën 0.82 mg/l.
Ndaj punonjësit të policisë E. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor.


Shtuar 25.10.2025 10:09