Këtë të mërkurë, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeparlamentarin Niko Peleshi, se ky i fundit nuk zbaton procedurat.
Sipas Bardhit, Kuvendi po diktohet nga forca e kartonëve.
Gjithashtu, Bardhi shprehet se në Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën opozitës.
“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: “Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.
Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonave.
Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin. Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve.
Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar. Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërojani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar”, u shpreh Bardhi.