Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Ervin Karamuço: Kanë telefonuar edhe një familjar të një ish-ministri

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka ndarë detaje të lidhura me rastin e vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, në vendin e quajtur “Dilan”, në fshatin Salari të Tepelenës.

Në një intervistë në Euronews Albania, eksperti Karamuço tha se autori i ngjarjes dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe ka reaguar me sharje.

Karamuço zbuloi se për ngjarjen është kryer edhe një telefonatë te një familjar i një ish-ministri të Mbrojtjes.

“Automjetet e grupit të viktimës ishin të pajisura me prozhektorë nate pasi përdoren për gjueti. Në çastin e shkëmbimit, autori dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe ka reaguar me sharje.

Pas një përplasjeje verbale, ai ka kthyer makinën mbrapsht, ka parakaluar grupin dhe u ka zënë rrugën. Më pas autori ka zbritur nga automjeti, i armatosur me një pushkë gjahu me dylbi“.

 

 

Nuk mund të them që ishte snajper, por pushkë sportive për gjueti. Ai filloi t’i ofendonte dhe t’i kërcënonte personat që ndodheshin me biznesmenin italian, madje ka deklaruar:

“Nuk e dini kush jam unë, jam filani”. Megjithatë, sipas dëshmive fillestare në polici, askush nga grupi nuk e kishte njohur apo mbajtur mend emrin e përmendur.

Pasi debati ka degjeneruar në përplasje fizike, autori ka hapur zjarr, duke qëlluar në mënyrë të pakontrolluar, pa shënjestruar ndonjë person konkret. Një nga plumbat goditi në këmbë shtetasin italian, duke i dëmtuar aortën e femurit – plagë që i solli vdekjen.

Personat që ishin me viktimën nuk janë larguar nga vendngjarja, por kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë. Në vendngjarje janë gjetur leckë dhe rrip i vendosur për të ndaluar gjakderdhjen.

Ata kanë telefonuar edhe një familjar të një ish-ministri të Brendshëm për të kërkuar ndihmën e një helikopteri, por viktima ndërroi jetë para se të mbërrinte ndihma mjekësore”,-tha Karamuço.


Shtuar 30.09.2025 08:26