Aktorët e njohur të spektaklit të humorit “Portokalli”, Albana Perhati, Kejdi Gishto, Juxhin Plovishti dhe Erdit Asllanaj, ishin të ftuar së fundmi në emisionin “Ndryshe”, ku ndanë detaje nga sezoni i ri i programit, por edhe sollën shumë të qeshura me rubrikën e njohur “Telefonata Kurth”.
Këtë herë, “viktima” e telefonatës ishte moderatorja Erjola Doçi. Aktorja Albana Perhati, duke u shtirur si zyrtare e Kryeministrisë, i propozoi Erjolës të bëhej imazhi i ri i ministres së përfytyruar “Diella”, një figurë e krijuar me inteligjencë artificiale.
“Jam shumë entuziaste që të jesh ti imazhi i ministres Diella”, i tha Albana, duke shtuar se kryeministri donte “një risi, nga veriu”.
E befasuar, Erjola reagoi me emocione dhe tha se një ofertë të tillë do e pranonte vetëm nëse do t’ia thoshte vetë kryeministri.
Në atë moment, në skenë hyri Kejdi Gishto, me imitimin e tij të famshëm të Edi Ramës, duke e bërë situatën akoma më komike. E pranishme ishte edhe Rike Roçi, e cila e kuptoi menjëherë se nuk ishte zëri i vërtetë i kryeministrit.
E gjithë telefonata përfundoi me të qeshura në studio dhe një atmosferë pozitive që i ka bërë ndjekësit të duan edhe më shumë sezonin e ri të “Portokalli”.