Gjatë diskutimit të buxhetit të Qendrës Kombëtare të Kulturës, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve kulturore në Sarandë. Ajo vuri në dukje se e vetmja sallë kinoteatri e qytetit qëndron e mbyllur prej vitesh.
Zhupa kërkoi të dinte pse Saranda nuk përfiton nga programet për rikonstruksionin dhe rijetëzimin e hapësirave kulturore. Kreu i Qendrës Kombëtare të Kulturës, Jonid Jorgji, iu përgjigj se Bashkia Sarandë nuk kishte paraqitur aplikim për financim.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, Zhupa e cilësoi bashkinë si problemin më të madh të qytetit. Ajo tha se Partia Demokratike synon të krijojë një pol kulturor në Sarandë dhe u shpreh se, pas 9 majit, qytetit do t’i kthehet dinjiteti, duke paralajmëruar fitoren e PD-së në bashki.
Sipas Zhupës, Bashkia Sarandë nuk tregon interes për jetën kulturore dhe prej vitesh e lë të mbyllur të vetmen sallë kinoteatri, ndërsa nuk aplikon as për fonde që mundësojnë ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Ajo tha se shqetësimin për mungesën e mbështetjes për rikonstruksion dhe rijetëzim e ngre çdo vit. Përgjigjja e Jorgjit, sipas saj, ishte se bashkia nuk kishte aplikuar për fonde.
Zhupa argumentoi se pengesa nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e vullnetit dhe e përgjegjësisë nga Olti Caci dhe njerëzit e tij në bashki.
Ajo u zotua se programi i Partisë Demokratike për Bashkinë Sarandë parashikon ndërtimin e një poli kulturor, me synimin për t’i rikthyer qytetit jetën kulturore dhe hapësirat që meriton.
Zhupa tha se pas 9 majit Saranda do të rifitojë dinjitetin që, sipas saj, i është mohuar. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që me votë të largojnë modelin e hajdutërisë, paaftësisë dhe indiferencës që, sipas saj, e ka mbajtur qytetin peng.






