Deputeti Erion Braçe reagoi pas aludimeve se kishte bërë një marrëveshje me Edi Ramën për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Ai tha se prej pesë ditësh po qarkullonte në portale dhe media online pretendimi se ishte në pazar me Ramën për të marrë Ministrinë e Bujqësisë, pasi e kishte merak këtë sektor, dhe për t’u larguar nga Bashkia e Tiranës. Sipas Braçes, lajmi ishte shpërndarë gjerësisht dhe ishte shoqëruar me sulme në internet.
Të lidhura
None found
Deputeti përmendi edhe një media që, një ditë më parë, kishte shkruar: “Qeni që leh nuk të ha, sidomos kur e bën ministër!”. Ai iu përgjigj kësaj me pyetjen: “Po turp a ke?! Apo ç’të duhet, më mirë kështu!”.
Braçe u drejtua atyre që e ndjekin dhe e kanë votuar drejtpërdrejt prej 30 vitesh, duke theksuar se nuk i ka përdorur asnjëherë për pazare personale 25 mijë votat në qarkun Tiranë e diasporë, 19.300 votat në Bashkinë Tiranë dhe mijëra votat e mbledhura në zgjedhje të drejtpërdrejta gjatë këtyre tri dekadave.
“Karriget nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë nevoja të miat. Gjithë jetën ia kam kushtuar punës. Puna është nevojë e imja, atë dua!”, u shpreh ai.
“Tani, hani pazaret tuaja, ashtu siç hani paratë e disa pisave, mes tyre edhe të disave brenda PS-së që ju paguajnë”, tha Braçe.







