Rei Manaj do të blejë klubin sportiv të Lushnjes

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj, do të blejë klubin sportiv të Lushnjes.

Ky lajm, është bërë i ditur nga moderatori Ed Manushi, në emisionin “Procesi Sportiv”.

“Moda e futbollistëve të rëndësishëm dhe të pasur që blejnë klube sportive, ka arritur edhe në Shqipëri.

Një futbollist i madh i Kombëtares, është në tratativa për të blerë klubin e Lushnjes. Rei Manaj, po blen ekipin e Lushnjes, duartrokitje për iniciativën. Ky model na duhet për të ecur përpara”, tha Ed Manushi.

Kujtojmë se rreth një vit më pare, Bashkia e Lushnjes, bëri gati procesin e privatizimit të klubit të futbollit.

Propozimet që u bënë për klubin sportiv

  1. Dhënien e pëlqimit për shpalljen për shitje të 100% të aksioneve që Bashkia Lushnjë zotëron si aksionare e vetme në shoqërinë “KF Lushnja 1930” sh.a.
  2. Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.
  3. Forma e shitjes së aksioneve që zotërohen nga Bashkia Lushnjë, në shoqërinë Klubi i Futbollit Lushnja 1930 sh.a. të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese; Procedurë e Hapur Standard e Ankandit, sipas dokumenteve standardeve tip të ankandit, bashkëngjitur këtij vendimi.
  4. Procedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Lushnjë të nis me vlerën 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.

Përmbledhja e vlerësimit të shoqërisë “KF Lushnja 1930” sh.a.

Pas vitit 2008, u krijua baza ligjore për transformimin e klubeve të futbollit në shoqëri tregtare dhe për rrjedhojë edhe për transferimin e pronësisë së klubeve të futbollit te subjektet private.

Në këtë proces, klubi i futbollit të Lushnjes u transformua në shoqëri aksionare me kapital themelimi 3 500 000 lekë. Kapitali fillestar i nënshkruar, është 3 500 000 lekë i ndarë në 3500 aksione me vlerë nominale 1 000 lekë secili, me aksionar të vetëm Bashkinë Lushnje. Deri në 13 dhjetorin e vitit 2023, kapitali i shoqërisë u rrit në 4 187 369 lekë.

EKIPI – Lushnjarët i kanë bërë një nisje shumë të mirë këtij edicioni. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani, ka grumbulluar 8 pikë në 5 ndeshje të luajtura deri tani, ose 54% të pikëve maksimale.

Me golavarazhin pozitiv 3 gola të shënuar dhe 2 të pësuar, verdhejeshilët kanë 5 pikë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, teksa kishin vetëm 3 pikë në 5 ndeshje, duke regjistruar 5 gola të shënuar dhe 12 të pësuar.

Nisja e mirë e këtij edicioni, ndikoi edhe në pjesëmarrjen e publikut lushnjar në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku në ndeshjen me Besën numëroheshin rreth 2000 shikues. Lushnjarët barazuan pa gola dhe pozicionohen në vendin e katërt.


Shtuar 23.09.2025 11:01