Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Artur Metani, ka reaguar pas sulmeve publike ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor nga disa figura politike, duke e konsideruar këtë si një presion antikushtetues dhe të papranueshëm.
Metani theksoi se për magjistratët është e domosdoshme të ruajnë vetëpërmbajtjen edhe kur sulmet janë të padrejta, pasi kjo nuk duhet të ngatërrohet me dobësinë, por është respekt për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gjyqësorit.
“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë”, tha Metani.
Gjithashtu, ai shtoi se besimi i publikut ndaj gjyqësorit mbetet vlera më e çmuar e drejtësisë dhe mbrojtja më e mirë e saj, pavarësisht mungesave të stafit, ngarkesës së madhe të dosjeve dhe presioneve të vazhdueshme.
Metani nënvizoi gjithashtu se magjistratët, duhet të ruajnë distancën nga deontologjia politike dhe të mos lejojnë që ajo të diktojë sjelljen e tyre: “Thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”.
Deklarata u bë gjatë një takimi të organizuar nga ILD, në bashkëpunim me projektin MATRA të qeverisë së Holandës, ku u diskutua mbi pavarësinë dhe përgjegjësinë e gjyqësorit.