Franca ka një kryeministër të ri, Sébastien Lecornu, 39 vjeç, i cili ka marrë detyrën pas rrëzimit të François Bayrou, i larguar nga posti për shkak të mosmiratimit të buxhetit.
Lecornu premton ndryshim dhe “ndarje të thellë” me politikën e vjetër, ndërsa përballet me sfidën e vështirë për të siguruar mbështetjen e parlamentit të ndarë dhe të paqëndrueshëm për miratimin e buxhetit të ri. Nëse dështon, edhe ai rrezikon të rrëzohet në pak javë, si paraardhësit e tij.
“Do të arrijmë atje… Asnjë rrugë nuk është e pamundur,” tha Lecornu, duke theksuar nevojën për kreativitet dhe seriozitet në bashkëpunimin me opozitën.
Ai pritet të formojë qeverinë e re në javët në vijim, ndërsa Franca po përjeton protesta masive dhe tensione politike, me dhjetëra mijëra protestues në rrugë dhe mbi 80,000 policë të vendosur në të gjithë vendin.
Lecornu, i njohur si një nga aleatët më të afërt të presidentit Emmanuel Macron dhe shpesh quajtur “djali shpirtëror i Macronit”, shihet më shumë si përfaqësues i vazhdimësisë sesa ndryshimit rrënjësor që kërkojnë opozitat.
Këto të fundit paralajmërojnë se një gabim i vetëm mund t’i kushtojë Lecornut detyrën përmes një mocioni mosbesimi, duke e lënë Francën sërish pa qeveri stabile.