Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka shkarkuar një gjeneral, agjencia e të cilit kishte nxjerrë një raport fillestar të inteligjencës për dëmet në objektet bërthamore iraniane pas sulmeve amerikane.
Shkarkimi është një tjetër tronditje në kryesinë ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës së vendit, dhe vjen disa muaj pasi detajet e raportit paraprak janë rrjedhur në media, sipas Reuters.
Në raport thuhej se programi bërthamor iranian ishte penguar vetëm për disa muaj nga sulmet amerikane, gjë që ishte në kundërshtim me pretendimet e Trumpit dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në një konferencë për shtyp pas sulmeve të qershorit, Hegseth sulmoi gazetarët për, siç pretendoi ai, anshmëri kundër ushtrisë, por nuk ofroi asnjë provë të drejtpërdrejtë për shkatërrimin e objekteve iraniane të prodhimit bërthamor.
Ky është një tjetër ndër vendimet e diskutueshme dhe kontroverse që lidhen me Hegsethin.
Më herët, ai kishte ndërmarrë “pastrime” brenda Ministrisë së Mbrojtjes, pasi nga Pentagoni kishin rrjedhur në media informacione që flisnin për kaos në këtë institucion.
Përveç kësaj, Hegseth shkaktoi polemika edhe kur ndau plane sekrete për një sulm amerikan në Jemen në aplikacionin Signal, në një grup ku gabimisht ishte shtuar edhe një gazetar i gazetës amerikane The Atlantic.