Trump gati për takimin në Alaskë, Presidenti i SHBA-së flet për Putinin: Ai nuk do të guxojë të luajë me mua

Pasditen e s enjtes, Presidenti amerikan Donald Trump foli për mediat nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me takimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin, duke bërë disa deklarata të forta mbi marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe luftën në Ukrainë.

Trump u shpreh se, nëse ai nuk do të ishte president, Putini “me shumë gjasa do të kishte marrë nën kontroll gjithë Ukrainën”. Ai shtoi: “Por unë jam president, dhe ai nuk do të guxojë të luajë me mua”.

I pyetur për pritshmëritë nga takimi me Putinin, Trump tha se do ta kuptojë që në minutat e para nëse do të kenë një takim të mirë apo jo. “Nëse jo, do të përfundojë shumë shpejt,” tha ai.

Më herët gjatë ditës, në një intervistë për Fox News Radio, Trump tha se, nëse takimi me Putinin rezulton i suksesshëm, ai do të telefonojë Zelenskyn për të organizuar një tjetër takim. Megjithatë, ai shtoi se ekziston “një shans 25% që ky takim të mos jetë i suksesshëm”.

Në përfundim, Trump theksoi se për të arritur një marrëveshje përfundimtare do të nevojitet “kompromis nga të dyja palët” sa i përket kufijve midis Rusisë dhe Ukrainës.


Shtuar 15.08.2025 09:15