Vrau me thikë 14-vjeçarin Erald Xhenjon në Maliq, me pranga në duar policia shoqëron në komisariat autorin

Enedio Guri 14-vjeçari autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, Erald Xhenjo, ka lënë spitalin dhe është shoqëruar në komisariat nga policia.

Fillimisht, Enedio Guri u dërgua në qendrën rajonale spitalore të Korçës për të marrë mjekim.

Tashmë 14-vjeçari pritet të merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të hedhur dritë mbi tragjedinë që ndodhi.

Konfrontimi fizik mes dy të miturve ndodhi në ambientet e jashtme të një lokali në zonë, ku një sherr banal degjeneroi në përdorimin e armëve të ftohta. Si pasojë, Erald Xhenjo humbi jetën, ndërsa Enedio Guri mbeti i plagosur.

Dy 14-vjeçarët mësohet të jenë nxënës të së njëjtës shkollë në zonën e Pirgut në Maliq, ndërsa të paqarta mbeten arsyet e konfliktit midis tyre. Sipas burimeve për media, është mësuar se dy adoleshentët fillimisht janë konfliktuar ditën e djeshme nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa sot janë takuar në ambientet e një lokali për tu sqaruar.


Shtuar 14.08.2025 21:57

Tags: ,