U shpall në kërkim para disa ditësh për një impiant gazi në Delvinë, vetëdorëzohet në polici biznesmeni Sokol Meqemeja

Biznesmeni Sokol Meqemeja, është liruar nga akuzat e ngritura ndaj tij lidhur me ndërtimin pa leje të një TEC-i në Delvinë. Meqemeja ishte shpallur në kërkim, si i dyshuar për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “pushtim i tokës”

Në dëshminë e dhënë në komisariat pasi u vetëdorëzua biznesmeni është shprehur:

“Ka qenë një keqkuptim i ushqyer nga informacione dashakeqe. Impianti është pjesë integrale e procesit të filtrimit të gazit dhe nuk ka asnjë lidhje me prodhimin e energjisë.”

Ai ka deklaruar po ashtu se të gjitha dokumentet ligjore, teknike dhe mjedisore janë në rregull dhe se ndërtimi i impiantit është bërë me dijeninë e plotë të autoriteteve përkatëse. Biznesmeni është shprehur se ata që ngritën alarmin kanë dashur të dëmtojnë imazhin e tij mbi pretendime të pavërteta.

Ndërkohë policia pas inspektimit në terren, konfirmoi se objekti në fjalë nuk ishte një TEC, siç ishte dyshuar fillimisht, por një impiant pastrimi gazi, pjesë përbërëse e puseve aktive të nxjerrjes së gazit natyror. Edhe kompania “Delvina Gas Company menjëherë pas njoftimit të policisë, deklaroi se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës. Sipas kompanisë, ngritja e impianteve të gazit në territorin e koncesionit është një e drejtë e ligjshme, që asaj i buron nga kontrata koncesionare, që ka me shtetin shqiptar.


Shtuar 5.08.2025 23:36