Fluturimet në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë pezulluar me urdhër të autoriteteve të aviacionit, pasi një defekt në komunikim preku qendrat e kontrollit të trafikut ajror.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se masa u mor për siguri, në rrethana të jashtëzakonshme. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se problemi ka të bëjë me sistemet e komunikimit të qendrave të kontrollit të trafikut ajror në mbarë vendin.
Të lidhura
None found
Në çastin e pezullimit, rreth 3,100 avionë ishin në ajër me destinacion aeroportet amerikane, sipas platformës së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24. Platforma njoftoi se në atë kohë nuk po nisej asnjë avion tjetër.
FAA bëri të ditur se për fluturimet ndërkombëtare që ndodhen aktualisht në rrugë drejt SHBA-së, vendimet do të merren rast pas rasti.
Teknikët e FAA-së po hetojnë për të përcaktuar shkakun e defektit, ndërsa autoritetet kanë premtuar njoftime të vazhdueshme për zhvillimet.
Numri i fluturimeve të prekura dhe kohëzgjatja e pezullimit nuk dihen ende. Ndërsa situata vijon të zhvillohet, autoritetet amerikane po punojnë për të rikthyer funksionimin normal të kontrollit të trafikut ajror.







