Gjimnastika shqiptare, është përfaqësuar denjësisht në kampionatin botëror të “World Gym for Life Challenge” të mbajtur në Portugali, duke fituar medaljen e bronzit.
Sipas Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, vajzat kuqezi dhuruan një performancë fantastike, teksa morën edhe përgëzimet e jurisë.
Në garë u vendosën 33 shtete nga e gjithë bota, teksa në total në Lisbonë ishin rreth 3800 sportiste.
Shqipëria u përfaqësua me gjimnastet: Merili Islami, Mishela Bitanji, Maria Zefi, Sara Moleci, Nil Elbasani, Nadia Daci, Enesa Sulaj, Chloe Qenanaj, Ilenia Sevdari, Silja Muhameti, Megi Papadhami, Iris Kadiu, Leandra Çela dhe Melisa Agolli.
Pa dyshim që meritë për këtë sukses, të gjimnasteve nga mosha 7-12 vjeç, kanë trajnerët e ekipit kombëtar, sekretarja e përgjithshme e Federatës Eliriana Karaj, por edhe presidenti Leonard Lulaj.
Vajzat të cilat morën pjesë në këtë kampionat ishin të ekipeve të Beratit, Shkodrës, Lushnjes dhe Tiranës.