63 minatorë të Trepçës mbetën brenda minierës pas ndërprerjes së energjisë

Një defekt në pajisjet elektrike, i shkaktuar nga djegia e trafos kryesore, ndërpreu furnizimin me energji dhe la të bllokuar në horizontin 11 të minierës së Trepçës ndërrimin e dytë të punëtorëve.

Në minierë ndodheshin gjithsej 63 minatorë. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Januzi, konfirmoi se ata i përkisnin ndërrimit të dytë dhe ishin ende brenda gjatë orarit të punës.

Të lidhura

None found

“Po, ndërrimi i dytë. Janë komplet miniera, ndërrimi i dytë. Ata janë ende në orarin e kohës së punës”, tha Januzi.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi përmes një postimi në Facebook se minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërrimi i tyre përfundon në orën 23:00.

Sipas të dhënave nga menaxhmenti i Trepçës, ekipet teknike po punonin për riparimin e defektit dhe rikthimin e energjisë. Paralelisht, po përgatitej nxjerrja graduale e minatorëve nëpërmjet daljes emergjente. Menaxhmenti ndodhej në vendngjarje, ku kishin qenë edhe policia dhe zjarrfikësit.


Shtuar më 7.10.2026 22:16