Një sipërfaqe e gjerë me shkurre, pyll dhe ullishte u përfshi nga zjarri në fshatin Haspiraj, në Bashkinë Peqin.
Vatra u konstatua pasditen e ditës, ndërsa terreni dhe përhapja e flakëve vështirësuan ndërhyrjen e zjarrfikësve. Ekipet mbërritën menjëherë për të izoluar zjarrin.
Të lidhura
None found
Pas afro tre orësh punë intensive, zjarrfikësit e vunë situatën nën kontroll dhe e shuan plotësisht flakën. Kështu u parandalua përhapja drejt zonave të tjera me bimësi dhe pemëtari, raportoi gazetari Fatmir Popja.
Gjatë ditëve të fundit, zjarret janë bërë një shqetësim i përsëritur në territorin e Peqinit, ku janë regjistruar vatra në disa zona rurale. Dyshimet janë se disa prej tyre kanë ardhur si pasojë e djegies së tokave bujqësore. Temperaturat, bimësia e tharë dhe erërat e forta mund ta bëjnë këtë praktikë të dalë shpejt jashtë kontrollit.
Shërbimi zjarrfikës në Peqin u ka bërë thirrje fermerëve dhe qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të mos djegin në mënyrë të pakontrolluar mbetjet bujqësore.
Erërat e forta të ditëve të fundit kanë ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke shtuar rrezikun e dëmtimit të sipërfaqeve të mëdha me ullishte, pemëtari dhe bimësi natyrore.







