I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme

Një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën ditët në vijim. Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.

Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.

Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore.

Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Sipas IMHK indeksi UV (ultraviolet) do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohet ekspozimi në rrezet të diellit, sidomos personat në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.


Shtuar 20.07.2025 20:26

Tags: ,