Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot Aktin Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025””, i cili parashikon rritjen me 1 miliardë lekë të të ardhurave dhe shpenzimeve. Akti normativ nuk prek deficitin buxhetor.
Akti Normativ u prezantua nga Florian Semani, zëvendësministër i Financave dhe u relatua nga deputeti Eduard Ndreca.
Semani sqaroi se Akti Normativ parashikon reflektimin me rritjen rreth 1 miliard lekë të të ardhurave dhe shpenzimeve të përgjithshme, pa prekur deficitin buxhetor.
Komisioni miratoi po ashtu edhe programin dhe kalendarin e punimeve, si dhe draft-kalendarin e raportimeve vjetore të disa organeve Kushtetuese, atyre të ngritura me ligj, si dhe institucioneve të varësisë për veprimtarinë e tyre për vitin 2024 dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar të Komisioneve për vitin 2025 të cilat janë hedhur për konsultim publik.
Në vijim komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO) Hagë, më 23 qershor 1993, të ndryshuar në Kopenhagë, më 9 prill 2002”.
Projektligji u prezantua nga Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila në fjalën e saj sqaroi qëllimin dhe përfitimet e aderimit në Konventë, duke nënvizuar se përmes këtij procesi rritet mundësia e përfitimit nga praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE për avancimin e zhvillimit të infrastrukturës së telekomunikacionit, si dhe rritjen e kapaciteteve në këtë sektor.
Deputeti Denis Deliu në cilësinë e relatorit duke u ndalur tek kushtetutshmëria dhe përputhshmëria me aktet ligjore në fuqi, ftoi kolegët ta miratojnë projektligjin.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjeve: “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e “Mbështetjes për buxhetin e përgjithshëm mbi përpjekjet për zhvillim”’ dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Doganat”, për bashkëpunim në fushën e doganave”.
Projektligjet u prezantuan nga Florian Semani, zëvendësministër i Financave, i cili u ndal në thelbin e marrëveshjeve dhe përfitimet e mundshme prej tyre. Semani nënvizoi se marrëveshja e huasë me Abu Dhabi-n synon mbështetjen e ekonomisë së vendit. Ndërkohë që për marrëveshjen për Programin “Doganat” i BE, ai sqaroi se është një iniciativë që synon të forcojë bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet autoriteteve doganore të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse dhe do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të administratës doganore, etj.
Relatorët e projektligjeve, deputetët Eduard Ndreca dhe Denis Deliu, duke u ndalur tek kushtetutshmëria dhe përputhshmëria me aktet ligjore në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare, ftuan kolegët ti miratojnë.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”.
Gjatë prezantimit, Sofjan Jaupaj, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, theksoi se projektligji propozohet në funksion të vlerësimit të kuadrit ligjor dhe institucional për ruajtjen e biodiversitetit bregdetar e detar dhe krijimin e zonave të mbrojtura detare.
Ai sqaroi po ashtu përfitimet e palëve për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar.
Deputeti Denis Deliu në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes, kushtetutshmërinë dhe përputhshmërinë me Rregulloren e Kuvendit.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, i cili u prezantua nga .Endrit Yzeiraj, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe u relatua nga deputeti Denis Deliu.
Yzeiraj sqaroi ndër të tjera se kjo marrëveshje synon që brenda kapaciteteve të saj, Republika e Shqipërisë të ofrojë mbështetje politike, ushtarake, teknike, mbrojtëse dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e bashkëpunimit dypalësh dhe ndërkombëtar.