Belind Këlliçi: Duam të marrim mandatin e Alimehmetit, ja rrugët që do të ndiqen

Belind Këlliçi zbuloi se Partia Demokratike, do ta ankimojë vendimin e KQZ për kryeqytetin dhe do të kërkojë rishikimin e votave të pavlefshme.

Sipas Këlliçit, në Tiranë ka pasur mbi 17 mijë vota të pavlefshme, dhe rivlerësimi i tyre do të sjellë mandatin e mjekut Ilir Alimehmeti, i cili është humbur për 100 vota.

“Në diasporë ka pasur kuti me rezultat 97% në favor të Partisë Socialiste. Kjo ka ndodhur me votat e Greqisë. Një ekspert kaligrafie do ta evidentonte se është një dorë që ka plotësuar qindra vota. Të vjen keq që një mundësi që iu dha shqiptarëve jashtë u bë pis nga partia shtet. Mendonim se DHL do t’i qëndronte të gjitha angazhimet. Në Greqi, DHL ia ka nënkontraktuar shpërndarjen e zarfeve dy kompanive lokale. Ne i kemi bërë publike këto shkelje.

Këto janë denoncime që po çojmë te partnerët. PS ka humbur vota në Tiranë. Ka rreth 18 mijë vota më pak. Por për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votim dhe partive të reja…

Mandatin e fundit e kemi humbur për një grusht votash dhe nuk do të dorëzohemi. Do të bëjmë një kërkesë, janë 17 mijë vota të pavlefshme në Tiranë. Të mjaftueshme për të marrë mandatin e tij dhe një tjetër. Dyshojmë se ka manipulime në votat e pavlefshme”, u shpreh Këlliçi për A2.


Shtuar 23.05.2025 09:39