Këshilli i Ministrave miraton memorandumin me SHBA për sigurinë 4G dhe 5G

Gjatë takimit të ditës së sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve për sigurinë 4G dhe 5G.

Vendimi vjen pas konferencës së përbashkët të kryeministrit Edi Rama, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, ku u njoftua nënshkrimi i një marrëveshje koordinimi për teknologjinë 5G.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për sigurinë 4G dhe 5G, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Kryeministri Edi Rama

Në mungesë dhe me porosi

Zëvendëskryeministri

Erion Braçe./albeu.com


Shtuar 30.06.2021 20:37